Ujqërit e Wallstreet-it nga tregtarët e panoramave kineze

Ujqërit e Wallstreet-it nga tregtarët e panoramave kineze

Jetojmë në një epokë të zhvillimeve të mëdha, të teknologjisë kibernetike dhe vizioneve shkencore largpamëse, të “thërrmijës së Zotit”, bebes– epruvetë, klonimit, etj. Në një epokë kur teoritë, edhe pse mund ta kundërshtojnë rrënjësisht njëra-tjetrën, mjafton kumtin ta kenë të fuqishëm dhe vazhdojnë të  mbledhin rreth vetes miliona njerëz, të kthyer tashmë në “ithtarë të sekuencave” për shkak se shumica nuk e pranon dhe kupton relativizmin e vetë kohës. Një numër i madh teorish vdesin menjëherë, ose pak pas lindjes, dhe vetëm një numër i vogël ia dalin t’i rezistojnë gjitha periudhave, sidomos atyre më të errëtave. Këto janë teoritë kyçe në themelet e intelektualizmit botëror, të cilat shërbejnë prej shekujsh si busulla për labirintet e miliarda jetëve njerëzore. Këto ide brilante e kanë kapur dritën e diellit vetëm përmes mendjesh gjeniale, jo të sëmura në kuptimin e dytë të fjalës, por mendje të hapura e që nuk trazohen nga emocione që i ngre peshë kërshëria e posedimit të cikërrimave të pushtetit, kartëmonedhave apo fletëve prej letre të cilësisë së dytë të libërthave pa pluhur (edhe kjo në kuptimin e dytë). Ndryshe nga trendi i shumicës, këta gjenialë nuk hasen dot në betejat e përditshme për ekzistencë dhe pothuajse janë imunë ndaj këtij bataku naiviteti me doza djallëzie të panevojshme.
Por sa nga këto mendje kanë në dorë sot fatet dhe hapësirat e qytetarëve të vet?
Është e vërtetë janë pakicë, ndaj kjo bëhet pyetja më e vështirë për t’iu përgjigjur, sidomos kur i referohesh produktit, ose më mirë pasojave që përball bota sot. Sa më në thelb të duash t’i futesh shoqërisë së sotme, aq më shumë e kupton se mungon thelbi. Çdo ditë që shkon e më shumë shtohen radhët e hipokritëve, e atyre që flasin për liri dhe të drejta nën nota mediokriteti dhe arrogance, që i shiten qytetarëve të vet si menaxherë shumë të mirë, ndërkohë që njohin dhe veprojnë vetëm në bazë të klisheve, që bëjnë premtime krejtësisht të pamatshme në mënyrë që të mos realizojnë asgjë, që para njerëzve me barkun petë hiqen si puritanë të mëdhenj dhe pas kuintave janë në kompeticion me barkmëdhenjtë mafiozë se kush ka orën më të shtrenjtë, këpucët, verën apo vilën, e ndërsa një ditë mbrojnë me bindje një mendim, të nesërmen se kanë për gjë ta kundërshtojnë duke i futur dhe ndonjë ngërdheshje gjoja ironike në fund. Këta personazhe aspak gjenjalë, biles tragji-komikë, të zhytur deri në grykë në komplekse inferioriteti dhe pastaj të bojatisur me delir që u humbet sensin e masës dhe u jep një shkëlqim verdhacuk, hiqen si “tipa të lindur për politikë, drejtim, financë, art, etj”. Janë pikërisht këta që marrin në qafë me miliona të tjerë, që nuk thellohen, por mjaftohen me doktrinat boshe të kohës dhe i ndjekin nga mbrapa këta sharlatanë “interesantë” qysh për ngjyrën e bardhë të dhëmbëve, fytyrën e ngrirë me botox, haremet që ngrenë andej këtej e deri për frikën e dhunës verbale e fizike që mund të ushtrojë një qenie kundrejt miliona të tjerave. Indoktrinim më të madh se kaq s’mund të ketë. Fatkeqësisht, pavarësisht sofistikimit të mjeteve, këto forma kanë gjetur shprehjen e vet dhe në ato vende që njiheshin për gdhendjen e simboleve të lirisë e përparimit për mbarë botën, por që së fundmi po vërehet që popujt çdo ditë e më në masë errësohen nga ndjenja të vetëmjaftueshmërisë dhe ndërsa i janë dorëzuar me shumicë “rehatllëkut”, naiviteti i gjeneruar nga kjo status quo po i verbon atyre pasqyrën e virtyteve, koshiencën.
Kjo situatë nuk është thjesht diçka e rëndë moralisht ose muhabet démodé si dikush tjetër mund të jetë duke e gjykuar në këtë moment. Kjo është një situatë thriller pa autor, sepse ndërsa po shfaroset në masë fryma krijuese, po grumbullohen gjithnjë e më shumë njerëz në turma që i falen apatisë dhe ku i vetmi zjarr inspirues mbetet vaniteti duke prodhuar tendencat më të ulëta të të gjitha llojeve që nga  reagimet mbi bazën e identitetit në grup (kthimi i racizmave dhe nacionalizmave të kota)…, korrupsioni në të gjitha nivelet e koshiencës, mediokriteti në art, kulturë, shkenca shoqërore, perversiteti deri në fikje të qenies, terrorizmi…, etj.
Epoka e konsumizmit të dashur lexues. Dhe në ballë qëndrojnë ata që duhet të ishin e tashmja dhe e ardhmja, por që fatkeqësisht janë duke u përkthyer edhe vetë në turmë; turma e drejtuesve, ose brejtësve par excellence, të cilët kanë tipar dallues nga identiteti i përgjithshëm i turmave vetëm oreksin e stërmadh.
Me shumë dhimbje e vonesë e kam pranuar një fakt të tillë dhe që për njëanshmërinë e këndvështrimit tim, refuzoja ta pranoja, por druaj se jemi në mesin e erës së skllavërimit modern. Modern si term identifikues. Dikur një njeri i skllavëruar shitej e blihej duke i cenuar rëndë dinjitetin, por jo koshiencën, ndaj në nivelin më të lartë të formësimit të saj, skllavi mund të rebelohej. Dhe u rebelua. Dhe ia doli të fitojë beteja të mëdha për të rimarrë dinjitetin e vet.
Ndërsa sot, “njeriu i lirë” e zhvillon betejën më të egër me vetveten dhe po ia del me sukses të vetëskllavërohet. Të gjithë jemi dëshmitarë se sa shumë njerëz sot e shkëmbejnë, në vullnet të plotë, dinjitetin e vet me lekë ose favore sa herë u krijojnë akses eprorët, bile ka aq shumë rivalitet sa nuk ka kërkesë për të përballuar ofertën. Për mua, ky devijim është pjesë përbërëse e një formë te re të skllavërimit, fenomenit më të frikshëm të ditëve tona, të kthyer në tendence sugjestionuese por njëkohësisht dhe shkeljes më të madhe të lirive dhe të drejtave të njeriut. Njeriu “modern” ose “post modern”(se ç’më thotë ky term) çdo moment e më shumë po drejtohet nëpër një proces shterpëzimi, që përveçse e kthen në primitivitetin e nevojave bazë, i krijon atij një boshllëk aq të madh sa për ta mbushur nuk mjafton pasuria e gjithë botës dhe pikërisht ky është momenti që individi bëhet i aksesueshëm për aktin fatal të vetëprostituimit të qenies.
Ky lloj aksesimi drejt skllavërisë me ngjyrat e ylberit, që nga salltanetet në këmbim të dinjitetit e deri te frika që u imponojnë turmave, ca injorantë me pushtet njerëzore, të cilët në heshtjen e tyre edhe vetë dridhen nga frika dhe pasiguria e mosdijes dhe e mosvirtytit që i rrethon, duhet të ishte i dënueshëm me ligj e jo vetëm moralisht, qoftë për ata që e ofrojnë, qoftë për atë që e kërkojnë. Për moralin pak e aspak po pyesin sot, pothuajse çdo element virtyti është kompromentuar duke reklamuar vetëm anën sipërfaqësore, pikërisht atë që s’ka lidhje fare me brendinë.
Thuhet që është koha e kompromiseve dhe e marketingut. Kompromiset, në fakt, janë mjete që i shërbejnë njerëzve të aftë për të optimizuar rezultatet në situata kur këta të fundit janë reale, të matshme, sepse nganjëherë edhe dy vlera të larta, kur shprehen në të njëjtin vend dhe kohë, mund ta devijojnë njëra-tjetrën e sidomos në menaxhim, ndaj është më se nevojshme rruga e ndërmjetme për të marrë maksimumin prej pikëtakimit të tyre, por deformimi i konceptit kompromis në versionin modern ka rezultuar në një pazar të ndyrë mes spurdhjakësh.
Ndërkohë që kompromisi duhet të ishte katalizatori numër një në procesin e arritjes apo realizimit të një objektivi të vlefshëm në të mirë dhe interes të gjithëve, po shërben më së shumti si mastiç në koagulimin e së keqes.
Imoralet, të korruptuarit, kriminelët, injorantët, mediokrit po paraqesin një aftësi gati- gati origjinale për t’u mpiksur me njëri tjetrin duke u kthyer në makrotrombe që bllokojnë rrugët e zhvillimit të një shteti dhe kjo bëhet tejmase evidente, sidomos, në shoqëri si kjo e jona. Sepse tek ne kompromisi përdoret shumë në “versionin e tij modern”, si formë e aftë për të prodhuar ose mbuluar dëme apo iniciativa të ulëta dhe si kamuflim i paaftësisë menaxherale, produktive dhe intelektuale. Kompromisin, pothuajse, nuk e shohin në asnjë rast si mënyrë zgjidhje me paqe apo për të kërkuar dakordësinë, por si mënyrë mbijetese e bazuar në aleanca fluide që tentojnë t’ia hedhin njëri-tjetrit.
Mesa duket shoqëria jonë nuk ka pasur asnjëherë stabilitet dhe as nuk di ta kërkojë apo vlerësojë. Shoqëria shqiptare është shprehje tipike e një shoqërie primitive, të tensionuar, e cila endet gjithnjë në limitet e mbijetesës dhe po ta shohësh nga jashtë duket sikur njerëzit që jetojnë brenda saj gjenden gjithnjë papritur në mes të një shkretëtire të madhe dhe nga ankthi i vazhdueshëm i pritjes së shiut, nuk i japin dot kohë mbjelljes dhe formimit të asnjë ideje, të cilën më pas të jenë në gjendje ta ngrenë dhe ta mbrojnë.
Kjo shoqëri që organizohet brenda këtij rrethi vicioz, favorizon gjatë gjithë kohës formimin e personave me karakter të paqëndrueshëm, të kompleksuar dhe që janë të gatshëm të huazojnë çdo lloj ideje, mjafton që t’i sjellë leverdi të momentit, pa marrë parasysh pasojat në rrethana dhe kohë të mëvonshme, kuptohet duke e lënë gjithnjë e me shumë vetë shoqërinë brenda baltës së mosevulimit.
Këta soj individësh nuk brendësojne apo krijojnë kurrë një ide tyren, që në bazë të disa tipareve të përkatësisë intelektuale dhe rrethanave tjera të përafërta, të mund të gjeneronin, me kalimin e kohës, elita të caktuara të afta për të reaguar si qendra nevralgjike të një shoqërie.
Kjo është dhe arsyeja pse në Shqipëri nuk ka pothuajse kurrfarë reagimi shoqëror dhe njerëzit lëvizen vetëm nga politika, sepse asnjë fenomen nuk duket sikur bie ndesh me idetë apo parimet që mungojnë.
Sidomos fjala parim është e tepërt. Të qenurit parimor në këtë vend shikohet si antivlerë dhe mënyrë e dështuar për t’i mbijetuar katrahurës sociale që vetë e thurim çdo ditë, duke realizuar gjithnjë e më shumë kompromise të ulëta, të cilat kuptohet vijnë nga ç’thashë më lart, por pa lënë jashtë, në këtë tornado social, produktin shkatërrimtar të paaftësisë së atyre që kanë drejtuar e diktuar për vite me radhë Shqipërinë, pamundësisë për t’ju përmbajtur premtimeve tepër të mëdha me ofertat e një vendi të vogël dhe të prapambetur si dhe përballjes tyre me masa që dinjitetin dhe shpresën e kanë  humbur në betejat e vogla për ekzistencë të përditshmërisë.
Prej shumë vitesh në Shqipëri mediokriteti përballohet veç me mediokritet duke nxirë çdo të vërtetë, qoftë edhe atë më gjenialen.
Çdo ditë, në mënyrë të konsiderueshme shtohen radhët e atyre që mundohen të bindin të tjerët për të pavërtetat e tyre dhe këtë e bëjnë me shumë këmbëngulje. Paraqesin vullnet stoik, ndërsa japin prova derisa t’ia dalin të shesin boshllëkun për shumëçka dhe s’ndalen para asgjëje.
Sikur vetëm një vëzhgim t’i bënim nga jashtë funksionit të trurit të shume prej shqiptarëve do arrinim në konkluzionin se shumica e sekuencave që do duhej të ishin në funksion të një procesi të shëndetshëm të të menduarit, në fakt janë ne funksion te obsesioneve fikse sesi të dlirin “ngastrat e tyre” nga influencat e atyre që i kanë vënë në sekuencat paraardhëse e kështu me radhë. Konkluzioni do të ishte fatal, por po mundohem të bëhem më pak realiste dhe po e quaj thjesht primitivizëm ose edhe po e modernizoj me termin robot të kapur peng nga iluzioni i gopc(llëkut). Ky iluzion ka zëvendësuar pothuajse çdo shpresë dhe synim të drejtë te këta njerëz dhe me forcën e një sporti, ripërtërihet nga personi te personi, nga brezi në brez dhe dominon motivimin e jetës së shumë individëve të rëndësishëm e të parëndësishëm në këtë vend.
E thënë më troç, nuk kam parë një vend tjetër në botë, me aq sa jam munduar unë, që t’ia nxijë njeriu njeriut jetën dhe në përfundim vetes, pa një shkak madhor të lindur apo induktuar, siç bën shqiptari i iluduar nga komoditeti personal i momentit. Mendoj se ky është përgjytnimi më i madh që i është bërë “njeriut të ri” dhe që për fatin tonë të keq, ne kaos’hanen botërore të viteve të fundit nuk arrin ta identifikosh me gisht si fenomen, ngaqë gjithandej po abuzohet me realen, po si pasojë për ironi të fatit, po.
Plus ne kemi edhe një dreq disfavori tjetër, të vogël për miopët, por gati të pakalueshëm në krahasim me pjesën tjetër të botës së zhvilluar, të cilës ende s’i përkasim dhe të cilët ende e kanë luksin ta përballojnë një periudhe kalimtare shterpëzimi shoqëror sado e gjatë qoftë, ne jo. Ne vijmë nga shekuj shpëlarje truri, pa standarde të trashëguara që t’i respektojmë ose thyejmë.
Kjo është pika ku ndahen dy botët; ujqërit e Wallstreet-it nga tregtarët e panoramave kineze.
Të gjithë mund ta vazhdonim më tej e më tej duke e plotësuar këtë shkrim, sepse kemi shumë për të nxjerrë ,por unë do ta mbyll duke shpresuar se vlen po t’i drejtohem çdo njeriu që ka diçka në kokë, zemër e dorë, që mund ta ketë rrëmbyer ose jo rutina e përgjithshme e obsesioneve të makutërise apo dhe thjesht e pamundësisë për t’i ndryshuar gjërat, të reagojë!  Mendojeni sa më shpejt të mundeni! Se më pas nuk do ketë asnjë vlerë rebelimi i turmës në heshtje, shtypja e të vërtetës që do çojë krye egër në shpirt, ndrydhja e ëndrrës deri në vdekje, …, lotët e pamundësisë në sy.
Edhe për shumë nga ju që mendoni se ju takon balli i turmave, po nuk reaguat që tani, të jeni të bindur se fjalitë që sot ju tredhin pasionet e pakta, nesër do t’i përfundoni me zgërdhimje histerike ose shprehje dhimbje të imituar keq nëpër sete fotosh e kronikash, ndërsa përpiqeni të zhbëni realitetin që s’do mundeni.
Gjithçka është çështje kohe, vetëm çështje kohe, ndaj e mira është ta vlerësojmë sa jemi në kohë! Sepse nuk i shërben askujt vrapi pa sens, me ankthin e mbarimit të sendeve stampuar në ballë.
Diçka është e sigurt, kur të vijë fundi, nuk do jenë sendet që do mbarojnë, por jetët tona dhe nëse ndërgjegjësohemi vetëm për këtë, ne ende kemi shpresë të biem dakord që ta duam këtë Shqipëri, që të drejtojmë pak tolerancë kah njëri-tjetri dhe shumë intolerancë kah çmenduria e akumuluar në shekuj, që të bëhemi gjithë së bashku, siç e thotë dhe profecia, dhe ta zhbëjmë mallkimin e hedhur mbi shqiptarë.

No Comments

Post A Comment