Reforma në administratë

Reforma në administratë

Reforma në administratë është më e rëndësishmja pas asaj në drejtësi dhe me ndikim të menjëhershëm në cilësinë e jetës së gjithsecilit prej nesh.
Që kur e nisim ditën e derisa e ngrysim; në çdo shteg, shesh, korridor zyreje apo spitali, trotuar, autobuz apo asfalt përballesh me stresin konstant që të krijon e papritura me 60% shanse negative në Shqipëri, e cila do të mund të shmangej fare mirë, po të tregonim një minimum qasje racionale ndaj njëri tjetrit dhe realitetit që na rrethon. Sa herë në ditë na takon të përjetojmë ndjesi negative nga gjesti i munguar i mirësjelljes së dikujt që e ka për detyrë, apo nga një mundësi që kthehet në pamundësi nga indiferenca e qëllimshme e atij që e ka në dorë, një e drejtë që humbet sepse dikush tjetër padrejtësisht fiton, një xhep që shqyhet nga duart e atyre që mendojnë se u takon, qindra oportunitete të vrara në embrion nga paftësia e fodullëku i atyre që i kanë dalë për zot… etj. Dhe kjo listë vazhdon aq gjerë e gjatë, sa fillon të mbarojë hapësira për të çliruar veten nga faji, sepse nuk ke më kë akuzon e kë mbron.
Bashkëfajësia në krim njihet dhe trajtohet me ligj, po kur kemi të bëjmë me një popull të tërë bashkëfajtor, të kredhur deri në grykë në korrupsion pasiv e aktiv, sipas rastit, atëherë s’është më çështje gishti dhe akuze, por mentaliteti. Dhe siç thotë Einstein është më lehtë të ndash një atom se sa të thyesh një mentalitet, edhe një ndërhyrje e tillë për të ndryshuar një mendësi të rrënjosur që në fillim mbrapsht, kërkon;
1- bashkim vullnetesh politike pa përjashtim, që përveçse të bien dakord në parim;
2-të jenë të gatshëm të ulen dhe të hartojnë një strategji të qartë, e cila nuk synon banalisht të njomin nëpër të thatë, por ç’rrënjosjen e piraterisë si mënyrë jetese në Shqipëri dhe implementimin e shtetit të së drejtës, i cili nuk as ka ngjyrë e as portret, me përjashtim të një momenti historik që do i kushtohet gjithmonë ditës kur shqiptarët vendosën ta marrin seriozisht civilizimin dhe integrimin e tyre në Europë.
Pikërisht për këtë unë i jam përkushtuar që në fillim mbështetjes së reformës në drejtësi dhe do të vazhdoj ta bëj derisa ta shoh duke funksionuar, sepse vetëm kur kandari i drejtësisë të shënojë saktë, do të jetë e mundur një recetë e detajuar me sasitë përkatëse të antibiotikut, që duhen injektuar në çdo vatër infeksioni të shoqërisë shqiptare, për ta shëruar atë njëherë e mirë nga korrupsioni. Përndryshe, po vazhduam prapë me vesh e me hove pasioni, siç kemi bërë zakonisht, duke rregulluar një gjë e prishur dhjetë të tjera, është pak po e sigurtë se përveç nervave tona, asgjë tjetër s’do të ç’montojmë.
Nevoja për përshkallëzimin e reformës në administratë ka arritur kulmin e saj, qoftë për pritshmëritë e publikut, qoftë të faktorit ndërkombëtar, të investitorit të huaj e vendas, por edhe të vetë administratës, e cila kam përshtypjen se e pret si qyqja verën ditën e çlirimit nga frustrimi konstant.
Për të bërë një punë mesatarisht mirë, njeriu ka nevojë për stimuj material e moral, ku studimet e bëra, por dhe eksperienca, kanë treguar se stimujt moral janë më të rëndësishëm për ta shtyrë një individ ta bëjë punën me qejf.
Në këtë pikë është e lehtë ta kategorizosh administratën shqiptare, si njerëz të motivuar moralisht për ta bërë punën e vet mirë apo lukoni të frustruar, që rrojnë me pasigurinë e vendit të punës, konfuzë në atë që duhet të bëjnë dhe në përgjegjësitë që mbajnë, të keqtrajtuar nga moria e pafundme e shefave që ndërrojnë thujse çdo 6 muaj dhe që për të zënë apo ruajur atë vend pune i është dashur dhe i duhet të shesin shumëçka nga vetja?
Është njerëzore, që po ta sprovosh tjetrin deri në këtë pikë, të marrësh si kompensim moral të tij vetëm hakmarrje ndaj kujtdo e gjithçkaje që do t’i bjerë në dorë, duke filluar nga zhvatja e institucionit e deri tek poshtërimi i qytetarit dhe këtu nuk bën dallim në është i vjetër apo i ri, mashkull apo femër, musliman, ortodoks, katolikë apo ateist, i PS-së, i PD-së apo i LSI-së, verior apo jugor.
Frustimi prodhon qënie të frustruara që mendojnë vetëm të frustrojnë të tjerët dhe kaq. Nëse duhet ndërmarrë ndonjëherë një reformë e plotë në administratë, fillon pikërisht me kthimin e kësaj mase të madhe robësh të frustruar në njerëz, që respektojnë ne rradhë të parë veten e pastaj detyrën, që u është ngarkuar dhe kjo as bëhet fjalë të arrihet me dhunë.
Implementimi i reformës në administratë ka nevojë për elementë të fortë racionalë që bëjnë kundrapeshën e asaj çfarë po ndodh me stafet në të gjitha nivelet e saj dhe që nis nga siguria e vendit të punës. Kriterin bazë, në tërë botën, për të patur një administratë cilësore, duke qenë shumë më burokratike përsa i përket rritjes së brendshme në karrierë në krahasim me biznesin, e përbën jetëgjatësia e individit në vendin e punës.
Sado të paaftë të jenë njerëzit, nëse kanë 10vjet që përsërisin të njëjtën gjë, padiskutim që do ta mësojnë, dhe kur ndodh të zëvendësohen masivisht si në Shqipëri, prurjet e reja që do të shpërblejë partia, jo vetëm që s’do të dinë ta bëjnë punën më mirë, por do t’u duhet ta mësojnë edhe njëherë nga fillimi dhe ja ku ikën edhe 10 vjet tjera nga jeta e qytetarit. Pastaj askund në botë nuk punojnë gjenitë në administratë, përgjithsisht janë njerëzit më burokratë, ata që i përkushtohen dhe e gjejnë veten në këto zanate për tërë jetën.
Kështu që edhe administrata shqiptare s’ka pse bën përjashtim. Rastet e korrupsionit dhe shkeljeve të rënda në punë duhet të trajtohen në gjykatë dhe jo me vesh se i teket titullarit të institucionit ta kapë dikë se s’bën dhe shpik shkelje për të hapur vende pune. Elementi tjetër shumë i rëndësishëm është standartizimi i administratës, ku secili të njohë përmendësh dhe ta ketë të shkruar, çfarë objekt pune ka, sa kompetenca i lejon pozicioni, kush janë përgjegjësitë, kufizimet apo penalitetet në rast mospërmbushje, cili është kodi i etikës në veshje dhe sjellje, që ai apo ajo duhet të tregojë në vendin e punës… dhe ta mendosh që këtë s’e gjen as në nivel ministrie, njëkohë kur firmat e vogla të biznesit nuk e diskutojnë më standartizimin si element kyç në mbarëvajtjen e punëve, por janë në garë me njëra tjetrën kush e kush të çertifikohet më parë, bëhet shumë demotivuese. Është krejtësisht evidente se si pjesa më e madhe e bjerrjeve, korrupsionit dhe keqtrajtimeve brenda stafit apo ndaj atyre që kanë punë me administratën, vjen ngaqë askush se ka të qartë dhe as e vlerëson arsyen për të cilën është aty dhe paguhet.
Bota po trajton çështje të vlerësimit meritokratik brenda administratës publike, që mbetet sfida më e madhe e burokracisë deri më sot, ndërsa ne jemi akoma te heqja dhe futja e motivuar politikisht e njerëzve në punë. Kur them bota, mos kujtoni se pandeh Amerikën. Jo, jo e kam për Kosovën, Malin e Zi, që as e imagjinojnë nivelin tonë të politizimit të administratës dhe po t’u shohësh rrogat e zyrtarëve të tyre, i kanë edhe më të ulëta se ne, por nga ana tjetër janë shumë më produktive dhe të respektuar, si dhe më pak të fryrë në numër.
Në këto kushte duhet kuptuar që për të realizuar një reformë serioze në administratën shqiptare, mund të niset, por nuk mund të mbyllet kurrë me vullnetin e vetëm një individi apo partie e aq më tepër të frikës vertikale që ata imponojnë. Duhet bashkëpunim i tërë spektrit politikë, që të dalin me një memorandum të përbashkët ku të jetë e shprehur qartë një datë dhe vullneti për të hequr dorë përgjithmonë nga tutorllëku i partive politike në administratë dhe më pas rruga e reformës për secilin, qartësohet vetë.

No Comments

Post A Comment