Punë të mbarë Vetting-ut!

Punë të mbarë Vetting-ut!

Mori fund dhe epopeja e justifikimeve, që më bëri ta përjetoj retorikën e opozitës shqiptare për Vetting-un si kllapi. Të rreshtuar ashtu, si një grup i vogël trazovacësh, aspak inteligjentë, që pasi kanë kryer disa sherre në seri, po mundohen t’i justifikojnë para prindit apo mësuesit, dikujt me autoritet të paanshëm, me naivitetin e atij, që nga paniku kalon në regresion patologjik, pra që mohon plotësisht aktualitetin më se evident, nga një nevojë gati jetike për t’iu rikthyer një situate të mëparshme, pa trazime e që s’i shkakton kaq shumë tmerr e ankth sa kjo e tanishmja. Ky lloj mekanizmi mbrojtës është tipik në fëmijërinë e hershme dhe s’e mendoja se do vinte dita, ta shfaqnin në mënyrë kaq banale edhe burra të rritur, me funksione si ish drejtues shteti apo partish. Një të tillë nivel justifikimi do e refuzoja edhe fëmijë. Nuk ka njeri të pagabueshëm në botë, edhe ai më skrupulozi gabon, por shtetarin nga legeni e ndan ajo për të cilën justifikohet dhe si justifikohet.
Justifikimi po cënoi dinjitetin e atij që e artikulon dhe inteligjencën e atij që e dëgjon, i bie të jetë ose artikuluesi budalla ose faji aq i madh sa cdo justifikim të ngjajë i lexueshëm dhe qesharak. Këta tipa, që e mbajnë vehten për burra shteti, pa fije dinjiteti, i druhen Vetting-ut pikërisht se synon t’i tregojë atyre dhe gjithë nomeklaturës mbështetëse se sa faje të mëdha kanë bërë dhe si e sa përgjegjësi do mbajnë.
Kush ka djallëzinë të grabisë energjinë e të tjerëve dhe mendon se jeton në një vend të vogël, që s’do kujtohet kush për të, ta harrojë. Cdo gjëje i vjen dita. Kush punon me transparencë disponon edhe mjetet për të konservuar energjinë e përfituar. Paraja është njësi konvertuese e energjisë së derdhur apo përfituar nga puna e pastër. Kush e ka grabitur energjinë e të tjerëve, s’do mund ta konservojë për gjatë, është cështje entropie, parim termodinamik i funksionimit te Universit. Puna kthehet në nxehtësi për Universin dhe para për njeriun. Kur ky ekuilibër prishet, pra njeriu fillon përfiton para pa punë, vjen dita që do duhet t’i rikthejë reston Universit, në formë nxehtësie të barazvlefshme me paratë e akumuluara. Pastaj rrugët se si do ta kthejë nxehtësinë janë ata që do të rastisin (rrugët e Zotit janë të pafundme).
Gënjeshtarët e vegjël shpresojnë zakonisht në “Zot bëje ëndërr”. Por askujt të mos i duket fantashkencë, është kështu. Bota në kaosin e vet ka një rregull perfekt funksionimi ku drejtësia të imponohet, në mënyrë të ftohtë, herët a vonë. Drejtësia nuk është zgjedhje, është detyrim. Askush s’do zgjidhte të hiqte dorë vullnetarisht nga shumë epshe, duke i klasifikuar si padrejtësi, nëse nuk do kishte një rregull të përgjithshëm të funksionimit dhe mbarëvajtjes që ta imponon. Kush beson ndryshe është naiv dhe do përplaset në mënyrë të pamëshirshme me të vërtetën, jo sepse drejtësia është e pamëshirshme, por se bazohet vetëm në arsye dhe arsyeja nuk njeh mëshirë.
Tani dhe dicka për skeptikët e Vetting-ut, të cilët janë të shumtë edhe në rrethet intelektuale të shoqërisë sonë, fatkeqësisht; ajo që s’kuptoj unë, është se kur njeriu ndjen vërtetë dhimbjen që thotë, në trup, e aq më tepër kur kësaj dhimbje i bashkohet edhe neveria, ai ose kërkon vetë shkakun ose i drejtohet një njeriu më të ditur se ai vetë, që është mjeku, për ta këshilluar. Tani kur flisni për shoqërinë, që s’është trupi, por ajo që rrethon trupin, silleni si ai fëmija i vogël, që ndjen dhimbjen po vetëm qan, sepse s’di ta thotë nga se i vjen.
Të mbash një refren në gojë, duke u ankuar për korrupsion, për nepotizëm, militantizëm, për paaftësi dhe të mos marrësh mundimin minimal për të kuptuar nga se vjen realisht, por t’ia këpusësh shkurt që është faji i atyre që e bëjnë, është njëfarë populizmi ndaj vehtes, kur je nën presion dhe do të sugjestionohesh se shfryve, tamam sikur të vrrasësh në një grykë mali gjithë kohës e të mos lodhesh duke ridëgjuar zërin tënd. Të quash shkak të devijimit të një shoqërie cdo fajtor, që i bie të kalojë atyre anëve, është naivitet.
Sinqerisht, pa ekzagjerime, sa përqind e juaja që kryesisht shfryni, do të bënit korrupsion për përfitim parash, do rregullonit gjithë fisin dhe ata që iu japin votën në administratë, etj, etj, po të kishit pak pushtet dhe hapësirë për ta bërë?! Si se kuptoni që kjo punë s’duhet gjykuar kaq shkurt, duke vënë në qendër të rëndesës së fajit shoqëror ndërgjegjen e një qenieje të përkohshme aty. Kjo është forma më e trashë për ta lënë fajin kopil dhe ka aq shumë histori në Shqipëri sa nuk e kuptoj si s’u lodhët. Ajo bota e civilizuar, që na pëlqen aq shumë kur e vizitojmë, por kur vjen këtu të na japi mend, kërkojmë të dimë ku e ka hallin, e ka zgjidhur me shekuj këtë punë. Ka vendosur në qendër të shoqërisë një sistem, që funksionon me cekan.
Kur dikujt i shkelet e drejta ai ankohet, pastaj bie cekani dhe vendos sa e drejtë ishte ankesa, sa dhe kush do dënohet. Ankesë pas ankese, dënim pas dënimi, vjen dita që pak kush guxon më të të fusë dorën në xhep, të të zaptojë shtëpinë, punën, të drejtën tënde. Dhe ja ku u bë një shoqëri funksionale në dy anët e peshores së drejtësisë.
Tani a mund ta realizojmë këtë vetëm me vullnetin tonë? Po jo pra, se me qenë e kishim bërë deri më sot. Vetting-u rregullon pikërisht këtë hallkë, bën perëndimorët aktivë në ndërtimin nga zero të drejtësisë shqiptare si fondamentin kryesor të shtetformimit. Do të thotë, së shpejti ata do fillojnë të kontrollojnë gjykatësit e prokurorët se si na respektojnë ne kur pretendojmë të drejtën tonë, ndërsa ne do fillojmë të kontrollojmë shoqërinë se si i respekton ajo të drejtat tona. E gjitha kjo nuk bëhet me llafe, por me procedura. Në rastin më të keq do ankohemi dhe gjejmë zgjidhjen e merituar, në rastin më të mirë do jemi të qetë.
Duhej vullneti i hekurt i pak drejtuesve shqiptarë dhe i shumë drejtuesve të huaj, si dhe indiferenca e madhe e juaja, që të arrihej me kaq mund, të kaloheshin pengesat e pafundme që u hapën nga ata që jetojnë në të shkuarën, për të parë nga e ardhmja…

No Comments

Post A Comment