Pse shqiptarët kaq të palumtur?!

Pse shqiptarët kaq të palumtur?!

Kur pashë renditjen e Shqipërisë në horizontet e largëta të lumturisë, ndjeva përhumbjen trishtuese të lajmit të mbrapshtë, që kushdo e përjeton kur s’ka shumëçka në dorë ta zhbëjë realitetin.
S’kishte asgjë të re në fakt, të paparë apo të padëgjuar, që nuk rron ngulur në të përditshmen tonë, në mënyrën e të arsyetuarit dhe të bërit, por prapë kur ta peshojnë me kandar kombesh palumtërinë dhe ta japin të shkruar në faturë, të vë në pozita më të rënduara dështuesi. Secili nga ne tek e tek e meriton një jetë më dinjitoze me aq mundësi sa ka, por dinjiteti është formë shprehje e qenies së përmbushur emocionalisht, intelektualisht dhe shoqërisht. Kjo si vështirë të arrihet e plotë, qoftë dhe aksidentalisht në Shqipëri, aq më tepër në të zakonshmen e komunitetit.
Një qenie e palumtur nuk ka si të reflektojë dinjitet sa kohë e rrethon konfuzioni, mohimi dhe është dëshmitare e konfliktualitetit të pandarë me veten dhe realitetin që e rrethon. Nëse dikush detyrohet vazhdimisht t’i bindet instinktit të mbijetesës pa kurrfarë rrugëdalje e orientimi të ndërmarrë nga ai vetë, probabiliteti më i madh është që si alternativë të vetme zgjidhje të njohë vetëm nënshtrimin. Nënshtrimi për sa dual nuk ka të bëjë me përshtatjen.
Kush ndjehet i përmbushur dhe komunikon lirshëm si me veten, si me botën, e din mirë pozicionin e tij në jetë dhe ka aftësi të përshtatet, pavarësisht rrezikut, deri ku e sheh të arsyeshme, pa vënë në diskutim vlerat personale. Një qenie e trazuar nuk e identifikon dot këtë kufi, sa kohë qëllimi i mbijetesës justifikon çdo mjet. Përkundrazi, nënshtrohet pa limit duke tejkaluar çdo cak, që ngre personaliteti njerëzor, për t’iu bindur eprorit me po atë vendosmëri saç kërkon t’i nënshtrohet kushdo që i bie në dorë. Ky lloj individi nuk ka realizëm në perceptimin e rrezikut, pasi e sheh atë kudo.
Kjo nis që në familje, kur përballet me pasiguritë e para të lindura si pasojë e hakërrimit të babait të frustruar ndaj nënës së frustruar dhe pastaj të dy së bashku frustrojnë fëmijën; në shkollë ku e pret një ambient aspak mikpritës, përkundrazi steril ndaj çdo lloj ndjesie delikate, shumë më i ngjashëm me studion e një dentisti, ku rezultati bën të pashmangshëm ushtrimin e dhunës, sesa më një institucion edukimi; në rrugë kur ecën kuturu për të ç’fryrë si ti teket makthet e jetës; në makinë ku me çdo mjet të mundshëm shkakton zhurmë e panik si formë për t’i munguar respekt kujtdo që është para tij; në zyrë ku i keqpërdoruri keqpërdor; në bar ku i urdhëron me ton të rëndë kamarierit dhe pastaj i lëshon një shikim të egër gjithë klientëve; në gjykatë ku ato pak kredenciale te mbledhura si trofe të mbijetesës nga përballjet mizore, i vlejnë për të blerë një copë të arnuar nga ajo që do të ishte e drejta e vet; në politikë ku përligj mungesën e dinjitetit dhe shndërrohet pa pushim në person gjithnjë e më të lig, që akumulon pushtet pa hesap në pritje të përballjes më të madhe finale: asaj me veten; 
dhe çfarë zhgënjimi në fund!
Gjithë ajo luftë për çfarë?!
Vetja nuk mund të nënshtrohet edhe sikur të soset pushteti i gjithë botës. Vetja mund vetëm të duhet, po ashtu dhe njerëzit që na rrethojnë.
I gjithë ky modifikim nga rregulli logjik, i një populli, është sa pasojë po aq shkak i të kaluarës së largët dhe të afërt të tij, nën pushtime, diktat e varfëri, me mungesë hapësire për tu përshtatur me njëri – tjetrin, për tu treguar të sinqertë pa frikë, të dashur pa keqkuptime, të qetë pa shtirje, të gëzuar se është e drejtë.
Njerëz të mësuar me idenë e armikut në cdo kthinë jete, nuk kanë si ta konceptojnë të bëjnë përpara pa luftë. Ata do t’i kërkojnë armiqtë edhe aty ku s’ka dhe sa më abstrakt armiku aq më shumë do t’i mëshojnë ekzistencës së tij.
Sa më kohë kalon, aq më pak unë njoh njerëz vizionarë në këtë vend, që skanë doktrinën si perde dhe konspiracionin si shteg. Për më tepër këta janë edhe me të keqkuptuarit, pasi pak e aspak arrijnë të konvergojnë me masën. Një pjesë e madhe nuk del dot nga mentaliteti i katundit të madh të quajtur Shqipëri. Ngulin këmbë të mos e hapin mendjen, pasi i druhen të vërtetës dhe e kërkojnë zgjidhjen me insistim aty ku nuk është. Kjo i mban në përsëritje të vazhdueshme pa qullosur gjë. Thuajse të gjithë fajësojnë të gjithë dhe nuk gjejnë 5 minunta durim të ndalen dhe të mendojnë se sa të padurueshme ia bëjnë jetën në rradhë të parë vetes e pastaj tjetrit. Mezi presin të zënë dikë në faj dhe kjo “i kënaq”, “i mbush”. Në fakt kjo është vetëm përmbushje e fantazmave të hakmarrjes, që zgjaten në kohë e asgjë më shumë dhe vjen si ndjenjë e përshtjelluar e kujt ka përjetuar luftën, por s’gjen dot forcën të dalë nga ajo. Kjo përvecse injorancë, si pikëpamje modifikon cdo parim shoqëror dhe kodet e tyre të funksionimit.
Po të arrish ta shohësh nga jashtë realitetin shqiptar, i ngjan një filmi të projektuar nga një shoqëri e deformuar, hibride, të cilës i është kapur diku shiriti dhe episodi përsëritet pambarimisht. Cdo gjë ka ngelur në nivel akuze duke relativizuar fajin si koncept. Fajtor quhet i akuzuari dhe jo i faktuari. Faktet barazohen me llafet dhe të gjithë zhyten gjithnjë e më thellë në llum. Edhe pse e dinë sa lehtë është t’i drejtosh gishtin pa asnjë fakt dikujt, të gjithë i friken fajësimit me gisht. Ai që është më i pafytyri fiton, shumica heziton të flasë kur duhet, aq më tepër të veprojë, qëndron pasive dhe me fatalizmin prej fakiri pret dikë mëshirëplotë t’ia servirë pa mëshirë fajtorët e vërtetë në pjatë. 
Nuk e di a ka ndodhur diku dhe sa mundësi ka kjo të ndodhë në Shqipëri, por ndërkohë që enden nëpër pyje thashethemesh pa sëpatë, ka nga ata që ta lënë shpirtin në dorë për një llaf. Ama po u fol për kauzë, asnjëri nuk ndjehet mjaftueshëm burrë apo grua sa të marrë fatin e vet në dorë. Cdo gjë që kalon pak nivelin e thashethemnajës, bëhet koncept abstrakt për shqiptarët, me përjashtim të armikut inekzistent.
Atë po që e shohin kudo, sidomos me dylbitë e disa politikanëve të trazuar, të cilët e kanë hobi t’i përdorin si ornament cadrash e “protestash” me premtimin se një ditë do ua shpërblejnë, por realisht jo vetëm nuk i konsiderojnë individualisht shqiptarët sepse u punojnë cdo ditë kundër interesave të tyre, por nuk i kanë as në tefter si numra, sepse edhe ashtu detyrohen t’i shumëzojnë me 10 se s’u dalin.
Brenda këtij kaosi primitiv të paktë janë ata që shquhen se do të vërshonin në rrugë të organizuar për të kërkuar dinjitetin e tyre, pjesa më e madhe ka ngelur në halen e urrejtjes dhe zhgrryhen për t’i marrë dinjitetin njëri tjetrit. Për sa kohë të na perifrazojë një naivitet i tillë shoqëror shumë pak lumturi do zbardhë horizontet tona. Kush pret gjithë jetën t’ia ndërtojë lumturinë të tjerët apo t’ia grabisë të tjerëve, është i destinuar të vdesë në trishtim.

No Comments

Post A Comment