Pse Shqipëria?

Pse Shqipëria?

Që kur fillova të kuptoj e për shumë kohë më ka shoqëruar njëlloj fatalizmi, thuajse në çdo pikëpamje timen për vendin. Shqipëria më dukej foleja ku askush se trazonte të keqen që vinte e strukej sa herë e përzinin nga diku tjetër. Madje në kohën e komunizmit, kur e keqja se kalonte dot kufirin, në vizionin tim prej fëmije, majat gri dhe shqipet e uritura, që vërviteshin rreth tyre, me gojën gati për të shqyer, ma sillnin më kobshëm imazhin e mjerimit sesa sytë e jeshiltë të Lulit të vogël.
Varfërinë për bukë e konceptoja si diçka kalimtare në jetë, ndërsa peisazhin e këtyre maleve të egjër e të thatë, e krahasoja me pikturën e një mallkimi që thërret mjerim pa skadencë. Sa herë më duhej ta mburrja ndër arte tjera, këtë copë peisazhi ballkanik, më hynte e zeza e s’kishte ngjyrë nga imagjinata e një fëmije që ta nxirrte. Kam përshtypjen se ADN-ja e kulturës sonë është plot me hije të tilla, ndaj e kemi të vështirë të ndërtojmë marrëdhënie afektive me vendin tonë, pasi thellë brenda nesh neverisim historinë e tij.
Qoftë dhe në mënyrë të pandërgjegjshme, ka lënë shenjë, kur inferioritetin detyroheshim ta promovonim si krenari dhe prapambetjen si vlerë. Me sa duket i vetmi person që nuk kemi arritur ta gënjejmë kurrë plotësisht, është vetja jonë. Këtu merr shkas natyra kontroverse e shumë shqiptarëve, që kur i dëgjon duke llafosur, thua ti këta patriotët e puritanët më të mëdhenj, sapo u jepet mundësia për veprim, tregojnë se janë të aftë për krejtësisht të kundërtën.
Unë mendoj se duhet ta njohësh, ta pranosh dhe ta respektosh në totalitetin e vet një gjë, që ta duash e mos ta dhunosh kur të jepet rasti. Nuk di a po flas për ndjesi vetëm personale apo edhe dikush tjetër i ndan me mua, por përsa kohë nuk u thellova në ndjesitë e mia, nuk kuptova as përse Shqiperia ishte kjo?!
Pse kaq shumë e pushtuar, e copëtuar, e tradhëtuar, me diktaturën më të egër në Europë, tranzicionin më të stërzgjatur, me korrupsion e varfëri pa hesap?! Pse çdo gjë e keqe me bollek në këtë vend, xhanëm?!
… Dhe njeriut të shkretë, kur i mungon një përgjigje universale, rreket të kthejë pjesë përgjigjesh, ku si për ironi, sa më të cunguara, aq më shumë ai hiqet i bindur. Kjo vjen ngaqë ndjehet i pasigurtë dhe zgjedh më mirë të mbetet rob i asaj çfarë di, se sa të eksperimentojë përtej.
Praktikisht po t’i pyesësh shqiptarët sot:
Pse Shqipëria është kështu si është?
Shumica e kanë përgjigjen gati në mendjen e vet. Po tu kërkosh se sa kohë dhe punë u është dashur të arrijnë në këtë konkluzion. Ka shumë mundësi tu dukesh alien, pasi për një pjesë të konsiderueshme të njerëzve, analiza është një humbje kohe, që me gjithë hallet e vuajtjet e tyre, mangët edhe të vrasin trurin. Rëndësi ka “konkluzioni”.
… E në fakt mua ma bëri ta kuptoj më shumë puna se sa vuajtja, që konkluzioni s’është një copë nga leximi i katandisjes, as shpresës së humbur, as shpresës së rigjetur, as trishtimit as harrimit, as gëzimit. Konkluzioni është gjithçka tjetër, përveçse një grumbull arrogant fjalësh që i diktohet tjetrit përmes shfrimit të ndjesive personale të momentit, që s’lënë shenjë më shumë se vetë momenti e që mezi pret t’i shkarkosh për të marrë pak kënaqësi kundërshtimi. Konkluzioni është analiza e pandalshme e rasteve. Procesi i konkludimit, përsa përmbyllës në vetvete, nuk mbaron kurrë. Fatkeqesisht ne nuk e kemi pasur kurrë një fjalë në shqip, që në thelb të ketë analizën racionale, të bazohet në mirëbesimin e përbashkët (comon sens) dhe të synojë krijimin e një repertori të vazhdueshëm, ku nje temë ezaurohet shoqërisht dhe i hap rrugën një tjetre, pasi me shoqërinë evolojnë dhe problemet.
Sipas konstatimit tim mungesa e këtij lloj mentaliteti të përbashkët, e kësaj memorie social kulturore konseguente, ku brezat e rinj të mbështesin fondamentet, ka lënë të hapur historikisht një zgavërr në shoqërinë tonë, të cilën është përpjekur ta stukojë në mënyrë praktike e keqja.
Unë them që kohët e fundit, ne ia kemi lejuar vehtes luksin të jetojmë si injorantë, të pathelluar dhe të painteresuar. Por s’mund t’ia lejojmë më, nëse duam vërtetë të dalim nga izolimi. Një shoqëri kaotike dhe pa standarte bezdis të tjerët. Plaga mbahet e izoluar deri kur shërohet. Shërimi vjen gjithmonë nga brenda, por me ndërhyrje nga jashtë.
Ne si shoqëri jemi në klasën e parë të civilizimit dhe kush mendon se ka më mend se ai që është në universitet, është njëlloj arroganti i rrezikshëm që merr në qafë vehten edhe tjerët. Nga këta megallomanë duhet të ruhemi sepse është plot shoqëria shqiptare. Duket sikur mediat i kanë hedhur njëlloj plehu kimik kësaj specie, që e ka modifikuar dhe bërë krejtësisht imune ndaj zhvillimit. Këta llomotitës të cekët, që blihen e shiten për interesa të vogla, vetofrohen për tu përdorur me kënaqësi nga ata që luajnë për interesa të mëdha. Nga flirtimi i tyre lind një mal me llafe dhe një tatëpjetë e fortë për shoqërinë. Ata që kanë gjetur sistemin se si të ushqejnë me garuzhdë interesa vetiake të bëshme, kuptohet u leverdis një shoqëri sa më kaotike, sepse ashtu s’ua mat kush numrin dhe madhësinë e vrimave që bëjnë.
As e kanë imagjinuar, larg qoftë, ditën kur të mund të shfaqeshin në derë njerëz nga vende me era civilizim e rregull e që dinakëritë e këtyre “maestrove” i kanë studiuar në kapitujt e prehistorisë. Tani që kjo ditë erdhi, u ka rënë kaq e papritur e po heqin picirin ta pranojnë e të lënë edhe tjerët të qetë.
Të dashur bashkatdhetarë, kryesisht të rinj, ne jemi një shoqëri që për dekada jemi endur në një rreth vicioz për inertësi të propagandës bajate. Ka ardhur dita, që me të vërtetë, dikush më i ditur të na japë një shtysë tjetër. Më i ditur nuk është ai që thotë se është i tillë, por ai që ka dhënë prova që ka ditur të ndërtojë shoqëri dhe shtet më të mirë se ne.
Shoqëria në miniaturë funksionon si një familje e madhe. Provoni t’i bëni padrejtësi të vazhdueshme njërit anëtar, qoftë dhe fëmijës më të vogël e do shikoni se me çfarë do të përballet e tërë familja në vazhdim. A do kenë më prindërit autoritetin e bazuar në respektin reciprok?! Si do zgjidhen gjërat pas atij moment me fjalë apo me dhunë?! Çfarë do jetë i predispozuar të bëjë ky fëmijë që s’ka më një referencë të qartë për të drejtën?! Se si do shkojë ekonomia dhe mirëqënia e kësaj familje. Identik e njëjta qasje haset në një ambjent më të gjerë social, ku ky shembull multiplikohet për qindra mijra raste. Thembra e Akilit në rrëmujën shqiptare është raporti i shformuar i shoqërisë tonë me të drejtën, të cilin s’do jemi në gjendje ta përmirsojmë kurrë të vetëm, pasi jemi të zhytur në rrumpallhane. Na duhet patjetër ndërhyrja e dikujt që dikton rregullat dhe na thotë si bëhet.
Informacioni nuk mungon për askënd, ndaj ngelet në vullnetin e lirë të gjithsecilit nëse duam të dalim në rrugë për integritetin e plëndsave me garuzhde apo për çekanin e drejtësisë? 
Ama nesër askush nuk do të ketë gojë të ankohet. Jeta na e dha rastin më të mirë për të bërë diëka për vehten dhe vendin. Është thelbësisht problemi i jonë nëse e humbasim. 
Dhe pastaj s’ka më paqartësi: Pse Shqipëria?!

No Comments

Post A Comment