Për rininë nuk mjafton vetëm një ditë.

Për rininë nuk mjafton vetëm një ditë.

Në Shqipëri festohet “8 dhjetori “si Dita Kombëtare e Rinisë, por perceptimi që më krijon përkujtimi në këtë formë, është një lloj ndjesie e parehatshme e gjësë së shkuar, që s’është më dhe që duhet kujtuar, ose të një fenomeni, të një ndër, që kërkon një farë mbështetje.
Në fakt unë rininë s’e shoh dot as si hero, as si shenjt, as si fenomen që duhet luftuar apo mbështetur, as si sëmundje apo luftë kundër sëmundjes. Rinia për mua është krejt e ardhmja, krejt risia, ëndrra, energjia, shpresa, gëzimi, pasioni me pak fjalë vazhdimësia. Dhe nuk e kuptoj si mund t’i dedikojmë vazhdimësisë vetëm 1 ditë në vit dhe pastaj t’i përvishemi interesave tona të vogla dhe mundësisht t’i bëhemi pengesë.
Të vetmit njerëz që nuk aspirojnë një të ardhme më të mirë, janë një minorancë që vuan nga depresioni dhe që në fakt janë të vetmit që nuk e cënojnë aspak të ardhmen e përbashkët, pasi janë më shumë se duhet të sinqertë me vehten dhe tjerët, shpeshherë me cilësi gjeniale, por me një sistem imunitar të dobët ndaj hipokrizisë, që fatëkeqësisht i udhëheq drejt vetëshkatërrimit.
Ndërsa pjesa dërrmuese, ajo që aspiron për një të ardhme gjithë “shkëlqim verbues”, shpesh, nga hipokrizia e madhe me vehten dhe tjerët, jo vetëm që cënon prosperitetin e një të ardhmeje të përbashkët, por shpesh e shkatërron fare atë.
Në të tilla shoqëri patriarkale, si kjo e jona, ka shumë gisht kultura e frustrimit, brez pas brezi, që ndjell individët t’i dorëzohen shkëlqimit të parasë dhe pushtetit, duke synuar të grumbullojnë mjaftueshëm mjete për të siguruar edhe vetë një frustë. Nëse dikush e përshkruan si instikt mbijetese, prapëseprapë po flet për një shoqëri primitive të papërgatitur për ta tejkaluar. Por kalimi nga sigurimi i mbijetesës në nevojën për t’iu imponuar apo nënshtruar llojin tënd, në kushte laboratorike, do cilësohej budallallik, sepse i tillë është për sa iluzionar mbetet, por i trajtuar nën termin vanitet dhe i bërë pjesë e edukimit të shoqërisë, mund të përbëjë fare mirë thelbin e historisë, e historisë që përsëritet për ” vanitozët” me një sharm, që ua përcon vetëm fshikullima e përsëritur e kamzhikut, kryesisht mbi kurrizin e të rinjve. Sa elitare dhe e rafinuar për një shoqëri njerëzore që pretendon se udhëhiqet nga kulti i arsyes!
Për ta konkretizuar; çdo dëm, nga korrupsioni për të përfituar individualisht para nga xhepi i financave të përbashkëta, nga mohimi i meritokracisë për të zënë një pozicion pavarësisht paaftësisë, nga mohimi i të drejtave të tjerëve, për të gëzuar për vehte pushtet imponues e status superior, godet direkt të rinjtë, duke i bërë të ndjehen vetëm dhe të pasigurtë në një shoqëri muskujsh.
Pavarësisht se me gjenialitetin e tyre, që refuzon deri ku mundet iluzionet, janë në gjendje të kuptojnë sa budallenj jeni ju të rriturit e korruptuar, që kujtoni se po punoni për prosperitetin e të ardhmes suaj duke ia grabitur të tjerëve, por nuk disponojnë mjetet e duhura t’ju kundërshtojnë sepse ata i mbani peng ju dhe kur ju jeni kaq shumë, arrini t’i nënshtroni të rinjtë dhe të përgatisni një specie të së ardhmes edhe më dëmtore se ju, ekzaktësisht siç ka ndodhur me ju.
Për këtë unë e shoh se 5, 8, 9… Dhjetori, 2, 3, 4…prilli, 1,10, 31Maji, 1, 12, 21… Gushti, 1, 15… Shtatori, apo 27, 28, 29… Nentori duhet të jenë të gjitha ditë që i dedikohen rinisë dhe të ardhmes. Të punosh me mish e me shpirt për prosperitetin e të ardhmes tënde nuk do të thotë, t’i shikosh me shpërfillje të rinjtë për të konfirmuar autoritetin prej hierarku patriarkal sepse s’po bën asgjë që mundesh përveç se po konfirmon pamundësine tënde përballë dikujt, që me shumë gjasa do të kopjojë një ditë, ashtu siç kopjon ti tani fytyrën prej derri të vetëkënaqur të shefit tënd, që dikur habiteshe pse sa herë i kërkoje dicka të thjeshtë, që me probabilitet mund ta dinin e ta thonin edhe 4 miliard njerëz të tjerë në botë, ai kapardisej e krekosej sikur po fliste për formulën e ekzistencës.
Të punosh për të ardhmen do të thotë të punosh për dhe me të rinjtë dhe jo t’i përflasësh korridoreve të zymta, nga paniku i të resë dhe nëse, larg qoftë, dalin pak nga skema jote gri dhe ta thonë troç se s’duan të poshtërohen nga askush ashtu sic ti s’doje dikur, që kanë më shumë zell, energji e ide se ti, ashtu siç ti kishe dikur, apo që janë të gatshëm ta duan dhe të sakrifikohen për dicka që seriozisht e besojnë ashtu siç ti besoje dikur, ti të vraposh tu ngresh kurthe tinzare, me zellin e atij që po lufton kundër një përbindëshi. 
Sepse sa herë lëshon helm anatemues ndaj të resë, dije që po e lëshon ndaj të ardhmes tënde dhe çdo ditë që mendon të mbushësh xhepat për të përfituar nga e tashmja me çdo formë pushtet e lekë, dije se po punon për një të ardhme të menderosur tënden dhe të fëmijëve të tu dhe sidomos kur ekzaltohesh qe ia hodhe edhe kësaj rradhe këtij naivit rinosh, dije se naivi i vetëm je ti që se kupton se në fund vlen vetëm procesi, jo ajo çfarë ke arritur për vehte në një moment x, në pafundësinë e momenteve që mbart jeta. Në një botë pa ekuilibra, për të cilën kontribuon çdo ditë si skuth i vogël, s’do jesh në gjendje të ruash asgjë nga ajo çfarë ke arritur, as ti e as pasardhësit e tu, po nuk kontribuove për shoqërinë dhe sidomos rininë në këtë moment.
Ndaj unë ftoj të gjithë, që arrijnë të shikojnë përtej mureve që ngre një shoqëri e varfër, të mbështesim fort të rinjtë dhe këtë ta bëjmë çdo ditë, sepse ekziston një formë që kënaq ekzigjencat e së tashmes dhe punon për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe kjo është sipërmarrja rinore e bazuar në transparencë e inovacion. Sipërmarrja është e vetmja formë që askush të mos lejojë askënd t’i vër fre gjenialitetit, lirisë, ëndrrës, gëzimit, pasionit, vullnetit të tij.
Një sipërmarrje e ndershme është eksperiencë unike që të bën individ më të fortë dhe të ekuilibruar, në gjendje të plotësosh nevojat e tua ndërkohë që përpiqesh për shoqërinë, ambientin dhe në vend që të sfidosh ekzistencën, të fton të hysh në sintoni me të.

No Comments

Post A Comment