Laboratori Inovacionit 2.0 – Takimi permbylles

U përmbyll sot faza finale e “Laboratorit të Inovacionit 2.0”, një platformë që mbështet me fonde dhe ekspertizë të rinjtë që kanë ide biznesi. Aplikuan mbi 100 të rinj me projektet e tyre, nga ku u zgjodhën 20 projektet më të mira për të garuar në fazën e fundit. CATI Foundation vendosi të krijojë programin e Laboratorit të Inovacionit sepse beson që Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet njerëzore për të qenë inovative në ide biznesi dhe konkurruese në produkte e shërbime. Në një periudhë gati 1 vjeçare udhëtuam anembanë vendit për të takuar të rinj në qytete, fshatra, auditore universitetesh si dhe përmes kontakteve online, ku u hasëm me shumë ide, projekte, sfida shpesh jo te lehta , por që shumica e të rinjve paraqisnin një dëshirë dhe vullnet për t’ia dalë, sa zor të ekzistonin pengesa të pakapërcyeshme. Ishim të bindur që “Laboratori Inovacionit 2.0” do të kishte një impakt pozitiv, por kjo i tejkaloi parashikimet tona, duke na dhuruar mbi 100 projekte aplikuese dhe qindra te rinj të tjerë që shfaqën dëshirën për të qenë pjesë e programit të “Laboratorit të Inovacionit 3.0” në të ardhmen, duke fituar kështu edhe kohën e mjaftueshme për të strukturuar më mirë planet e tyre të biznesit. Kjo tregon që rinia shqiptare nuk vuan për ide, por për infrastrukturë mbështetëse që nga gjetja e fondeve deri tek ekspertiza profesionale dhe sidomos për këtë të dytën, si pasojë e njohjes së vonë të vendit tonë me kushtet e një tregu të lirë dhe ku arsimi dhe orientimi i politikave publike, nuk ka patur fare si objektiv këtë të fundit. Procesi i përzgjedhjes u realizua me rigorozitet dhe transparencë nga ana jonë, ku juria vlerësoi në tre nivele projektet: 1) në atë të risisë si ide, duke i dhënë prioritet teknologjisë dhe novacionit; 2) në atë shkrimit dhe strukturimit të idesë në një plan biznesi të qartë dhe të mirë strukturuar; 3) dhe efektivitetit konkret të ideve, duke iu referuar nevojës së tregut, kërkimeve të bëra dhe brendësimit të projektit nga vetë të rinjtë aplikantë. Projektet sollën ide, sa interesante aq edhe utilitare, nga pajisjet inovative të shërbimit për porositë në lokale nga Përmeti, tek portalet e shërbimeve online në Lushnje, nga farmacia virtuale 24 orë në Tiranë tek sistemi i menaxhimit për mbledhjen, përpunimin dhe shitjen e vajit të ullirit në Berat, apo ekonomia e gjelbër me riciklimin dhe prodhimin e produkteve artizanale në Shkodër. Përvec ideve dhe shtrirjes së gjerë, notën 10 meriton pasioni dhe vendosmëria që paraqisnin thuajse të gjithë të rinjtë gjatë prezantimit të projekteve të tyre. Tani ne jemi në fazën e përzgjedhjes së plan bizneseve fituese, pavarësisht se nuk duam të përcaktojmë një numër projektesh fituese, si pasojë e prurjeve të shumta e fantastike që kishte, por në një moment do të jemi të detyruar ta themi fjalën tonë dhe pa asnje dyshim mbështetja jonë do të shkojë për projektet më bindëse , të cilët nesër të përkthehen në mundësi reale punësimi cilësor për të rinjtë dhe rritje të standarteve për ekonominë shqiptare, e cila synon të dalë nga modeli i stërzgjatur i tranzicionit dhe t’i bashkëngjitet një tregu te madh dhe të hapur, që rregullohet nga ligje ndërkombëtare. Megjithatë kjo s’duhet të jetë demotivim për ata që s’ia dalin! Lajmi i mirë është që Fondacioni CATI do vazhdojë me Laboratorin e Inovacionit 3.0 për të mbështetur edhe më shumë të rinj dhe jo me llafe, por me shanset reale që ne i krijojmë çdo vajze apo djali nën moshën 25 vjeç për të përmbushur ëndrrën e vet. Ne i urojmë suksese çdo të riu finalist të “Laboratorit të Inovacionit 2.0” dhe brenda 2 javëve secili nga finalistët do të ketë mundësinë të njihet me emrat fitues dhe të gjithë procesin transparent të vlerësimit me pikë.

No Comments

Post A Comment